Sipas informacionit zyrtar, rreth orës 15:10 në lagjen e Kalasë, shtetasi Kristo Mema, 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë” në Berat, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës Keli Hoxhën, 42 vjeç, banues në Tiranë. Viktima u transportua menjëherë në spital, por nuk arriti të mbijetonte.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se sherri mes dy burrave nisi për shkak të një kali, të cilin autori përdorte për të ofruar xhiro turistike në zonën e kalasë. Debati ka degjeneruar shpejt në përplasje fizike, që më pas ka përfunduar në këtë tragjedi.

Autori, i cili ka precedentë penalë për një vrasje të mëparshme me thikë në Greqi, ndodhet ende në arrati. Shërbimet e Policisë së Beratit janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe po kontrollojnë zonën për kapjen e 63-vjeçarit.

Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë vrasje dhe për të dokumentuar çdo detaj të ngjarjes. Autoritetet bëjnë apel që kushdo që ka informacion të kontaktojë menjëherë policinë.