Sipas deklaratës zyrtare, SPAK i ka komunikuar akuzën për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, për procedurën e tenderit të madh publik “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë–Sarandë).

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se procedura e parë e tenderit, zhvilluar më 11 dhjetor 2020, u anulua, ndërsa u rihap më 22 qershor 2021 me një fond limit prej 18.9 miliardë lekësh pa TVSH. Pikërisht në këtë proces, sipas SPAK, janë konstatuar veprime që cenojnë barazinë mes kompanive pjesëmarrëse.

SPAK sqaroi se Balluku është njoftuar për akuzën që më 21 tetor 2025, por kishte kërkuar shtyrje të paraqitjes. Më pas, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme më 31 tetor, në orën 15:00.

  • Në njoftimin zyrtar thuhet:

“Deri në këtë fazë të hetimeve, faktet penale në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku lidhen me veprimet e saj si ministre për procedurën e prokurimit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.”

Hetimet po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr.136/2025, të bashkuar me dosjet nr.167 dhe 181/2024, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal, në bashkëpunim (neni 25).