“Në vitin 2017 lumi Fan ma mori shtëpinë. Prej atëherë jetoj në kontenier. Kam shkuar në Njësinë Administrative Orosh, më dhanë një vërtetim që banesa është në rrezik. Në bashki më thonë ‘prit, dosja është në Tiranë’. Janë bërë 8 vite, asgjë s’ka ndryshuar”, – rrëfen Agustin Pjetri për Fiks Fare.

🏚 “Jetoj me borxh, askush nuk më ndihmon”

Agustini tregon se, për shkak të kushteve të vështira, ka ndërtuar një dhomë të vogël me borxhe, pasi nuk mund të jetonte më në kontenierin e ndryshkur.

“Jam i divorcuar, vuaj nga epilepsia, dhe askush s’merr përgjegjësi. Vetëm më thonë: prit!” – shton ai.

🏢 Administrata pranon problemin, por fajin e hedh diku tjetër

Administratori i Njësisë Administrative Orosh, Gjin Prenga, e pranon rastin, por thotë se dokumentet “janë dërguar nga vetë qytetari” vite më parë.

“E njoh rastin. Shtëpinë ia ka dëmtuar lumi. Kjo çështje lidhet edhe me ndërtimin e rrugës së re, ndoshta duhet parë përgjegjësia e ARRSH-së,” – deklaron Prenga për Fiks Fare.

🏛 Bashkia Mirditë: “Jo vetëm ai, por edhe 22 familje të tjera janë në pritje”

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, pranon se 23 familje janë në të njëjtën situatë, pa shtëpi dhe pa dëmshpërblim.

“Ligji kërkon që familjet të kenë certifikatë pronësie për truallin ku do ndërtohet shtëpia e re. Ne kemi kërkuar zgjidhje alternative nga Ministria e Mbrojtjes, por s’kemi marrë ende përgjigje,” – shprehet Melyshi.

⚠ 8 vite më vonë: vetëm premtime dhe dosje që nuk lëvizin

Edhe pse dëmet janë verifikuar që prej vitesh, mungesa e pronësisë ligjore i ka lënë banorët në harresë totale.
Agustin Pjetri, një nga dhjetëra qytetarë të dëmtuar nga vërshimet e lumit Fan, vazhdon të jetojë në kushte të mjerueshme, me shpresën se një ditë shteti do të kujtohet për të.