Por ju e dini, nuk e jap buxhetin e shtetit për ata kryetarë të cilët nuk dinë të punojnë mirë, apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk duan punën, e as ata që dinë e duan të vjedhin. Me ata nuk ka investime e as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës”, tha Kurti.
Deklaratat e tij nxituan reagime të menjëhershme nga kundërshtarët politikë.
Përparim Rama, kryetari aktual i Prishtinës, e cilësoi qëndrimin e Kurtit si “kërcënim shtetëror ndaj qytetarëve”:
“Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie – janë pronë e popullit të Kosovës. Kurti po i përdor investimet shtetërore si mjet shantazhi elektoral. Kjo është e turpshme dhe e rrezikshme”, shkroi Rama.
Edhe Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së, reagoi duke i quajtur fjalët e Kurtit përpjekje për bllokim politik:
“Nuk do t’iu vijë rendi të ndalni asgjë, nuk do t’iu vijë rendi të bllokoni më askënd. Me një Prishtinë që po ndriçohet si asnjëherë më parë nga LDK dhe qeverisja jonë këtu, le të nisim javën e madhe të balotazhit. Të dielën, më 9 nëntor, Prishtina flet e para dhe i jep përgjigjen e madhe kryepopullistit”, tha Abdixhiku.