“Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo?

2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo?

3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo?

Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë”, shkruan Rama.

Vendimi i Kushtetueses

Të hënën pasdite, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimin e Edi Ramës duke legjitimuar mandatin e Erion Veliajt si qytetarin e parë të Tiranës, edhe pse në qelinë e paraburgimit në Durrës.

Argumentet e Veliajt në sallën e gjyqit qëlluan të ishin të përafërta me vendimmarrjen e Gjykatës duke konsideruar pikë së pari në shkelje të kushtetutës procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak ku sipas trupës, ata shkelën parimin e një procesi të rregullt ligjor duke mos e thirr Veliajn në mbledhjen e këshillit.

Si arsye të shkarkimit ish-bashkëpunëtorët e Veliajt kishin faktin se kishte mbi tre muaj pa u paraqitur në detyrë, gjë e cila sipas trupës, ishte në shkelje të Kushtetutës, pasi mungesa e Veliajt ishte e përligjur, sa kohë mbahet i paraburgosur, shkruan A2 CNN.

Ndërsa Veliaj vijon të jetë në paraburgim, Qeveria duket se e ka të vështirë të iniciojë një proces të dytë shkarkimi pasi Gjykata në argumentet e saj u shpreh se një kryetar bashkie shkarkohet nga qeveria vetëm për shkelje të rëndë të ligjit dhe kushtetutës, dhe diçka të tillë, do të duhet ta provojë përpara trupës.

Me këtë vendim Gjykata i dha edhe përgjigje Bajram Begajt duke konsideruar antikushtetues caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë dhe për pasojë, kryeqyteti nuk do të garojë për një kryetar të ri, por do të vijojë të qeverisë Erion Veliaj nga paraburgimi në Kënetë të Durrësit.