Avokati Ivan Niniç njoftoi në rrjetin social X se Vukashinoviç u qëllua me disa të shtëna pas shpine nga persona të veshur me uniforma ushtarake, por pa shenja dalluese, duke përdorur xhipa pa targa. Ai ngre pyetjen nëse dikush tjetër, përveç anëtarëve të Forcave të Armatosura Serbe, ka marrë pjesë në këtë sulm të rëndë.

Media Nova kujton se ngjarja ka ngjashmëri me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç në veri të Kosovës. Sipas raporteve të mediave pro-regjimit të vitit të kaluar, Vukashinoviç u akuzua për spiunim ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe për sabotimin e Listës Serbe, përfshirë një incident me makinën e tij.

Vukashinoviç ishte gjithashtu në listën e zezë të pushtetit serb për kundërshtimin e qasjes së Listës Serbe, duke deklaruar publikisht se në veri të Kosovës sundimi i bandave kishte marrë fund dhe se tani sundonte vetëm ligji. Për këtë arsye, një bombë u vendos nën makinën e tij nga eksponentë të Listës Serbe, e cila fatmirësisht u neutralizua nga policia e Kosovës.

Rasti ka shkaktuar shqetësim në opinionin ndërkombëtar dhe ngre pyetje mbi sigurinë e qytetarëve serbë dhe situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke rikthyer kujtimin e vrasjes së Oliver Ivanoviç dhe sfidat e vazhdueshme në marrëdhëniet mes komuniteteve dhe forcave politike në këtë rajon.