Ekspertët thonë se uji i ngrohtë ndihmon në uljen graduale të temperaturës trupore pas dushit – një proces natyral që i dërgon trurit sinjalin se është koha për të fjetur.

Ky mekanizëm, sipas mjekëve, është një ndër mënyrat më të natyrshme për të luftuar pagjumësinë.

Temperatura ideale e ujit duhet të jetë midis 38 dhe 40 gradë Celsius. Një dush i gjatë dhe shumë i nxehtë, përkundrazi, mund të ketë efekt të kundërt duke rritur rrahjet e zemrës dhe duke e bërë më të vështirë fjetjen. Për këtë arsye, specialistët e gjumit rekomandojnë që dushi të zgjasë rreth 10–15 minuta dhe të bëhet jo menjëherë para shtratit, por me një interval prej 45 deri në 60 minuta.

Përveç dushit të ngrohtë, ekspertët këshillojnë përdorimin e teknikave të frymëmarrjes për të ndihmuar relaksimin. Një nga më të njohurat është metoda “4-7-8”, e zhvilluar nga doktori amerikan Andrew Weil. Kjo teknikë konsiston në marrjen e frymës për 4 sekonda, mbajtjen për 7 sekonda dhe nxjerrjen e saj ngadalë për 8 sekonda. Sipas studiuesve, kjo metodë ndihmon në uljen e stresit, ngadalësimin e rrahjeve të zemrës dhe përgatitjen e trupit për gjumë të thellë.

Mjekët e specializuar në çrregullimet e gjumit theksojnë se këto zakone të thjeshta mund të kenë efekt më të madh se përdorimi i barnave qetësuese. Kombinimi i një dushe të ngrohtë dhe teknikës së frymëmarrjes “4-7-8” mund të ndihmojë në rregullimin e ciklit natyral të gjumit pa efekte anësore.

Në fund, ekspertët kujtojnë se rutina e mbrëmjes luan rol të rëndësishëm në cilësinë e gjumit. Ulja e dritave, shmangia e ekraneve elektronike dhe krijimi i një ambienti të qetë janë hapa të domosdoshëm për një pushim të shëndetshëm dhe për rigjenerimin e trupit gjatë natës.