Elon Musk mund të bëhet njeriu i parë në planet me një pasuri që arrin 1 trilion dollarë.
Aksionarët e Teslas kanë miratuar një paketë shpërblyese marramendëse për CEO-n e kompanisë, pasuria e të cilit tashmë vlerësohet në rreth 491 miliardë dollarë. Nëse Musk arrin objektivat e tij të rinj ambiciozë për 10 vitet e ardhshme, shifra e re do ta vendosë atë përtej çdo imagjinate njerëzore.
Por çfarë do të thotë realisht të kesh një trilion dollarë?
Për ta përfytyruar më mirë, mjafton të mendoni se nëse kartëmonedhat njëdollarëshe do të vendoseshin njëra pas tjetrës, do të mbulonin 156 miliardë metra – aq sa për të rrethuar ekuatorin e Tokës 3,890 herë. Me këtë shumë, do të mund të udhëtonit nga Toka në Diell, ose të bëni 405 herë rrugën drejt Hënës.
Një pasuri që mund të blejë pothuajse çdo gjë që ekziston.
Nëse Musk do të donte, ai mund të blinte të gjitha klubet e Premier League për vetëm 30 miliardë dollarë dhe ende t’i mbeteshin plot para. Edhe nëse do të përfshinte klubet e Ligës së Kampionëve, si dhe ligat e para të Spanjës, Italisë, Gjermanisë dhe Francës, ai sërish do të kishte më shumë se 850 miliardë dollarë të paprekura.
Dhe sporti amerikan? As ai nuk do ta ndalte.
Ligat më të mëdha në SHBA – NFL, NBA, MLB dhe NHL – së bashku vlejnë rreth 544 miliardë dollarë. Duke shtuar edhe IPL-në e kriketit (120 miliardë) dhe Formula 1 (23.1 miliardë), Musk sërish do të kishte rreth 170 miliardë dollarë të mbetura, pas blerjes së të gjitha sporteve kryesore në planet.
Ai madje mund të zotërojë industrinë globale të makinave.
Me një trilion dollarë, Elon Musk mund të blinte 15 prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në botë, përfshirë Toyota-n, BYD-n, Ferrarin, Mercedes-Benz-in, BMW-në, Volkswagen-in dhe Fordin – e megjithatë do t’i mbeteshin disa miliarda si “kursim”.
Pasuria që mund të blejë qytete të tëra.
Sipas të dhënave të Zillow, vlera totale e çdo prone banimi në San Diego është rreth 1 trilion dollarë – pra Musk mund të bëhej pronari i gjithë qytetit. Po të donte diçka më të lirë, mund të blinte të gjithë Tennesseen (957 miliardë) ose Marylandin (1.01 trilion). Ndërkohë, Londra (2.53 trilion dollarë) dhe New Yorku (4.6 trilionë) mbeten jashtë buxhetit të tij – për momentin.
Ose mund të bëhej bamirësi më i madh në histori.
Nëse do të zgjidhte rrugën e Bill Gates, Musk mund t’u dhuronte çdo qytetari amerikan nga 2,917 dollarë, ose çdo banori të planetit nga 121 dollarë. Një dhuratë globale që do të ndryshonte miliona jetë në sekonda.
Me 1 trilion dollarë, mund të fshijë borxhet e vendeve të tëra.
Musk mund të shlyente menjëherë borxhin kombëtar të Koresë së Jugut ose Singaporit, që arrijnë secili afërsisht në 1 trilion dollarë. Por, edhe një pasuri e tillë nuk do të mjaftonte për të shlyer borxhin e SHBA-ve, i cili ka arritur në 38.3 trilionë dollarë – një shifër që tregon se sa larg është bota nga kufijtë e pasurisë së Musk.
📰 Burimi i lajmit: Sky News / Përkthim dhe përpunim nga Telegrafi.com