Por pas zërit që dikur mbushte sallat e koncerteve, fshihet një histori e dhimbshme që ka prekur zemrat e shqiptarëve.
Këngëtarja jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sipas mediave, ka kaluar një periudhë të vështirë — pa shtëpi, pa mbështetje dhe e ndarë nga i biri. Megjithëse sot jeta e saj është disi më e stabilizuar falë ndihmës së biznesmenit Elton Ilirjani, gjendja e saj ekonomike dhe shëndetësore mbetet e brishtë.
Ilirjani, në një reagim publik, ka bërë thirrje që institucionet shqiptare të kujdesen për artistët e harruar, duke kujtuar se Parashqevi i dha shumë muzikës, por sot përballet me mungesë kujdesi dhe ndihme.
Në një postim emocional në rrjetet sociale, Parashqevi ka shkruar për ndarjen e gjatë nga djali i saj, Luke, duke treguar dhimbjen që e ndjek çdo ditë. “Kanë kaluar 11 muaj që nuk të kam parë… çdo ditë pa ty është një plagë që nuk shërohet,” – shkruan ajo, duke rrëfyer se ndarja nuk ndodhi nga mungesa e dashurisë, por nga rrethanat që i ndanë përgjithmonë.
“Edhe ato tre herë që kemi folur në telefon, fjala jote ishte e ftohtë, si për një të huaj. E megjithatë, çdo fjalë e jotja kishte peshën e botës,” – vijon ajo në një letër që shumë e kanë quajtur “lutja e një nëne të plagosur”.
Parashqevi, që dikur këndonte “Në zemrën time je gjithmonë ti”, sot jeton me të njëjtin mall, por për djalin e saj. “Nuk të mbaj inat, as nuk të gjykoj. Vetëm të dua, në heshtje… edhe nëse më mohon, unë do të jem gjithmonë nëna jote,” – përfundon mesazhi i saj prekës.
Historia e saj ka tronditur publikun dhe ka ringjallur debatin për harresën e artistëve shqiptarë, që dikur ishin krenaria e skenës dhe sot jetojnë mes varfërisë, mallit e vetmisë.