Liu Qinghua, drejtori kryesor teknologjik i kompanisë “Lonvi Biosciences” në Shenzhen, ka thënë se falë kërkimeve më të fundit, brenda 5 deri në 10 viteve askush nuk do të vuajë më nga kanceri, ndërsa njeriu mund të jetojë deri në 150 vjet. “Të jetosh deri në 150 vjet është objektiv i arritshëm. Pas pak vitesh do të jetë realitet”, deklaroi ai.

Optimismi i tyre lidhet me një ilaç të ri që kompania pretendon se ka zhvilluar, i aftë të eliminojë të ashtuquajturat “qeliza zombie” – qeliza të vjetruara që nuk ndahen më dhe dëmtojnë gjithçka rreth tyre. Këto qeliza lidhen me plakjen, diabetin, sëmundjet e zemrës dhe forma të ndryshme kanceri. Eliminimi i tyre është një nga drejtimet më të nxehta të shkencës moderne kundër plakjes.

Sipas “Lonvi Biosciences”, ata kanë zhvilluar kapsula me përqendrime të larta të molekulave senolitike, duke i dhënë pilulës mundësinë të funksionojë si trajtim oral anti–plakje. Në studimet laboratorike, molekula PCC1 – e gjendur në ekstraktin e farave të rrushit – ka treguar rezultate të fuqishme në shkatërrimin selektiv të qelizave të dëmtuara.

Vetë drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ip Zuo (i njohur si Ziko), deklaroi se kjo pilulë “nuk është thjesht një suplement tjetër, por Graali i Shenjtë i jetëgjatësisë”. Sipas tij, kombinimi i pilulave me një stil jetese të shëndetshëm mund ta çojë jetëgjatësinë deri në 120, madje edhe 150 vjet.

Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë bëjnë thirrje për kujdes. David Furman, profesor në Buck Institute for Research on Aging, thotë se edhe pse rezultatet duken premtuese, pilulat duhet të testohen në prova të mëdha klinike, të kontrolluara dhe pa gabime metodologjike. Aktualisht, senolitikët janë ende në fazat e hershme të testimit te njerëzit dhe rezultatet janë të kufizuara.

Kina vazhdon të investojë agresivisht në teknologjitë kundër plakjes, duke eksperimentuar jo vetëm me ekstraktin e rrushit, por edhe me manaferrat goji, terapitë hiperbarike, dhomat kriogjenike dhe stimulimin mitokondrial. Ndërsa studimet te minjtë kanë treguar rritje të jetëgjatësisë me rreth 10%, mbetet për t’u parë nëse premtimet për “fundin e kancerit” dhe “jetesë 150-vjeçare” do të realizohen te njerëzit.