Veliaj ndodhet në paraburgim në burgun e Durrësit që prej muajit shkurt, si pjesë e një hetimi të nisur ndaj tij.
Kërkesa, e nënshkruar nga 22 këshilltarë socialistë, thekson se pjesëmarrja e kryebashkiakut është “e drejtë ligjore” dhe e domosdoshme për zhvillimin normal të mbledhjes, ku pritet të diskutohen çështje të rëndësishme si prezantimi i drafteve, buxheti dhe raportimet vjetore të bashkisë.
Në dokument, këshilltarët propozojnë dy mundësi për praninë e Veliajt: pjesëmarrje fizike në sallën e mbledhjes, ose një lidhje të sigurt online përmes videokonferencës, në rast se autoritetet e burgjeve nuk e shohin të arsyeshme daljen e tij nga institucioni. Ata theksojnë se janë të gatshëm të zbatojnë çdo masë sigurie të përcaktuar nga institucionet.
Përveç kërkesës drejtuar SPAK dhe Burgjeve, Këshilli Bashkiak i ka kërkuar edhe vetë Veliajt që të paraqesë objektivat dhe projektet prioritare për vitin 2026. Këto pritet të përfshihen në projektbuxhetin e ri, i cili duhet diskutuar dhe miratuar nga këshilli brenda afateve ligjore.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga SPAK apo Drejtoria e Burgjeve lidhur me lejen e mundshme për pjesëmarrjen e kryebashkiakut, duke lënë pezull vendimmarrjen për mbledhjen e së premtes. Situata po ndiqet me interes të madh, pasi prania ose mungesa e Veliajt mund të ndikojë direkte në ecurinë e proceseve administrative të bashkisë.
Në pritje të përgjigjes nga institucionet, mbetet e hapur pyetja nëse Erion Veliaj do të mund të jetë pjesë e mbledhjes, qoftë fizikisht apo në distancë, ndërsa çështjet e Tiranës për vitin e ardhshëm kërkojnë miratim urgjent.
..