Vendi po përfshihet nga reshje të dendura shiu që nga dita e djeshme dhe pritet të zgjasin të paktën deri në fundjavë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje në disa zona. Sinoptikani Hakil Osmani nga Meteoal tha për “Ora Neës” se situata mbetet e rënduar për shkak të reshjeve të shumta.
“Reshjet dhe rrebeshet e shiut kanë nisur kryesisht në zonat veriore dhe pritet që edhe dita e sotme të jetë e karakterizuar nga reshje me intensitete të larta, ndërsa deri në orët e mesditës rrebeshet do të përfshijnë të gjitha zonat e territorit shqiptar”, theksoi Osmani.
Sipas tij, zonat jugore do të kenë reshje me intensitet mesatar, por pasdite reshjet pritet të fuqizohen. “Në zonat veriore reshjet do të jenë herë pas here me intensitete të larta, ndërsa në jug reshjet e dendura do të regjistrohen kryesisht në orët e mbrëmjes”, tha sinoptikani.
Dita e mërkurë do të vijojë me mot të paqëndrueshëm në të gjithë territorin. Reshjet më të forta pritet të regjistrohen në zonat jugore dhe pjesërisht në zonat qendrore, ndërsa veriu do të ketë reshje deri në mesatare.
Pothuajse e gjithë kjo javë do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm. Edhe dita e enjte mund të sjellë reshje me intensitete të ulëta, por të premten reshjet pritet të fuqizohen sërish në të gjithë vendin, duke rritur rrezikun për përmbytje në qarqet veri-perëndimore dhe jugperëndimore.
Qytete si Vlora, Durrësi, Lezha, Shkodra dhe disa zona të Tiranës do të kenë prezencë të lartë të ujit dhe banorët këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare për situatën e motit.
..