Në një seancë të tensionuar në Kuvend, kryeministri Edi Rama ka goditur sërish me ironi deputetin demokrat Flamur Noka, duke e krahasuar besnikërinë e tij ndaj Sali Berishës me atë të Shefqet Peçit ndaj Enver Hoxhës.
Rama u shpreh se Noka meriton madje një titull të ri: “Besnik Flamur Noka”.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Noka akuzoi kryetaren e Kuvendit për besnikëri politike, ndërkohë që vetë ai është “monopol i besnikërisë ndaj kryetarit të partisë”.
Kryeministri vijoi ironinë duke thënë se për nga nivelet e përkushtimit, Nokës mund t’i afrohet vetëm Shefqet Peçi, i njohur për devotshmërinë e tij në regjimin komunist.
Rama nuk u ndal me kaq. Ai shtoi se në historinë botërore, Noka është “rrotë më rrotë me Lej Fenin”, një tjetër krahasim thumbues që shkaktoi reagime në sallë. Komenti për Shefqet Peçin lidhet edhe me faktin se ai është gjyshi i deputetit socialist Tërmet Peçi, i cili më herët është shprehur krenar për figurën e tij.
Deklaratat e Ramës kanë ndezur debatin politik, duke shtuar tensionet mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa Noka ende nuk ka dhënë një reagim të drejtpërdrejtë ndaj krahasimeve të kryeministrit.
..