Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masat e sigurimit ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. SPAK njofton se gjatë hetimeve për procedimin penal nr.136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në dy tendera të rëndësishëm publikë: ndërtimi i tunelit të Llogarasë në seksionin Orikum-Himarë të autostradës SH8 dhe ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4. Të dyja procedurat, me fonde limit respektivisht 18.967.810.952 lekë pa TVSH dhe 2.096.958.794 lekë pa TVSH, u zhvilluan nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Hetimet kanë zbuluar se Belinda Balluku, në cilësinë e ministres, ka ndjekur dhe orientuar vazhdimisht procedurat e prokurimeve nga faza përgatitore deri në lidhjen e kontratave, duke bashkëpunuar me anëtarët e komisioneve të vlerësimit për të paracaktuar fituesit dhe krijuar avantazhe të padrejta për operatorët ekonomikë. Po ashtu, janë përfshirë drejtues dhe specialistë të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke shkelur ligjet nr.162/2020 për Prokurimin Publik, VKM nr.285 për rregullat e prokurimit publik dhe ligjin nr.9367/2005 për parandalimin e konfliktit të interesave.
Si pasojë, Gjykata e Posaçme ka vendosur ndaj Belinda Ballukut ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin nga detyra si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa për Gentian Gjyli dhe Erald Elezi janë vendosur masat “Arrest në shtëpi”. Hetimet e SPAK vijojnë duke përdorur metoda speciale, provat digjitale dhe veprime të tjera hetimore për të zbardhur të gjitha shkeljet në këto procedura prokurimi.
