Reshjet e shiut janë stopuar në të gjithë vendin gjatë paradites së të hënës, duke sjellë një përmirësim të kushteve të motit, por edhe reduktim të zonave të përmbytura. Por çfarë parashikojnë sinoptikanët?
“Parashikohen që vranësirat të bëhen më të dukshme gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës së vonë, kur do të kemi rifillimin e reshjeve të shiut. Do të jenë prezente në orët e para të mëngjesit, kryesisht në zonat veriore, veriperëndimore, e jugperëndimore, ndërsa gjatë ditës së martë, parashikohet që reshjet e shiut të jenë prezente në të gjithë vendin tonë”, u shpreh Hakil Osmani, sinoptikan.
Në mesjavë reshjet e shiut, sipas meteorologëve, do të jenë më të përqendruara në jug të vendit.
“Dita e mërkurë do të sjelli reshje herë pas here në formën e rebeshjeve në të gjithë territorin shqiptar, të paktën deri në orët e mesditës, ndërsa pasditja do të sjellë një rënie të lehtë të intensitetit të reshjeve. Edhe dita e enjte mbetet nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm, duke bërë që të kemi kryesisht reshje në formën e rebeshit. Reshjet priten të jenë të fokusuara kryesisht në zonat jugore. DIta e premte ka sinjale të sjellë një përmirësim gradual të kushteve të motit”, u shpreh Hakil Osmani.
Temperaturat në dy ditët në vijim do të pësojnë një rritje të lehtë.
“Dita e martë, dita e mërkurë, do të sjellë një rritje të lehtë graduale të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet ditën e martë të regjistrohen 20°C në Ultësirën Perëndimore, e jo vetëm. Edhe në orët e para të mëngjesit kemi rritje të temperaturave të ajrit, duke bërë që minimumet në zonat malore të regjistrojnë 3-4°C. Dita e enjte dhe dita e premte do të sjellin dhe një rënie tjetër të temperaturave të ajrit. Kjo, si pasojë e një mase ajrore të ftohtë do të preki rajonin e Ballkanit duke bërë që të prekë edhe territorin shqiptar, priten që minimumet ditën e premten të zbresin sërish në vlerën -2°C në qytetet e zonës malore, ndërsa maksimumet e tjera në 17-18°C”, u shpreh Hakil Osmani.
Era parashikohet të jetë e fortë, duke sjellë probleme në lundrimin detar.
“Dita e martë, të pakten deri në paraditen e ditës së mërkurë, pritet të kemi një erë e cila do të jetë e fortë, e shumë e fortë në det të hapur që do të shkojë me shpejtësi edhe mbi 90 km/orë”, tha Osmani.
Muaji nëntor është muaji më i lagësht i vitit, dhe ky nëntor, pas 5 vitesh, i është kthyer trendit normal.
