Katër ditë më parë, Këshilli i Ministrave iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar vendimin e GJKKO-së, e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyrat e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Qeveria argumenton se lënia në fuqi e vendimit krijon vakuum institucional, pengon funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe pamundëson ushtrimin e kompetencave ekzekutive.
Në shkresë theksohet se vendimi i GJKKO-së cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve, duke ndërhyrë në kompetencat e organeve kushtetuese për emërimin dhe miratimin e ministrave. Kryeministri Edi Rama e konsideron aktin si antikushtetues, duke argumentuar se pezullimi i ministrit është i ngjashëm me një shkarkim dhe ndalon funksionimin normal të pushtetit ekzekutiv.
Qeveria kërkon nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e vendimit të GJKKO-së për pjesën e pezullimit të Belinda Ballukut, duke theksuar se vendimi prek interesa të larta shtetërore dhe pengon realizimin e projekteve kombëtare, përfshirë ato të integrimit në Bashkimin Evropian. Pa ushtrimin e detyrave nga ministri i pezulluar, rrezikohet mosfunksionimi i Këshillit të Ministrave dhe bllokimi i aktëve me rëndësi kombëtare.
