Këngëtarja dhe moderatorja Enxhi Nasufi ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me lajmet që e lidhin me një konflikt fizik me ish-kolegen e saj, Neada Muçajn.
Ajo ka treguar se e ka përjetuar situatën më shumë për shkak të shqetësimit të nënës së saj dhe se ka menaxhuar rastin në mënyrë të qetë, duke shmangur dramatizimin e mëtejshëm.
Në një intervistë për RTSH, Nasufi ka treguar detaje nga momenti kur u përball me lajmet: “Shkova në shtëpi, thashë ‘ka ndodhur kjo, kjo, kjo’ dhe e minimizova. Ajo [mamaja] i kishte lexuar të gjitha, nuk bëhet fjalë. Vesha tutat, hoodie-n dhe i thashë ‘po iki në studio’,” tha ajo, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë pengesë që ta ndalonte të vazhdonte punën e saj.
Ndërkohë, Neada Muçaj ka qenë e para që reagoi publikisht pas largimit të dy moderatoreve nga emisioni “Wake Up” në Top Channel. Ajo publikoi në Instagram një foto me një buqetë lulesh dhe një kartolinë të bardhë nga një dërgues anonim, ku mesazhi interpretohej si një reflektim mbi situatën e vështirë dhe mbështetja që kishte marrë: “Edhe ditët më të vështira mund të kthehen në diçka të mirë. Dikush beson tek ti.”
Enxhi Nasufi, nga ana e saj, ka bërë një postim në rrjetet sociale ku shfaqej me nënën dhe qenin e saj, duke bërë një gjest të interpretuar nga ndjekësit si ironik ndaj gjithë situatës. Postimet e saj dhe të Neadës lënë të kuptohet se të dyja kanë pranuar realitetin e largimit të tyre nga ekrani, ndërsa tensionet mes moderatoreve kanë qenë të ndjera prej kohësh.
Konflikti mes Enxhi Nasufit dhe Neada Muçajt ka nisur më shumë se një vit më parë me mosmarrëveshje të vogla në prapaskenë, por përplasjet verbale u përshkallëzuan deri në momente të debatit fizik. Raporti i tyre nuk ka qenë i mirë dhe, sipas informacioneve nga stafi, nuk ka pasur asnjë përshëndetje mes tyre, duke bërë që tensionet të kulmohen deri në largimin e menjëhershëm nga puna.
