Korrupsioni në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka nxjerrë në pah një skandal të ri, ku 6 inspektorë dhe punonjës të drejtorive të bujqësisë akuzohen për abuzim me fondet e Skemës Kombëtare.
Gjykata e Rrethit Korçë ka pezulluar menjëherë nga detyra të gjithë të dyshuarit, ndërsa prokuroria dhe policia e Korçës kanë nisur hetimet pas denoncimeve të fermerëve.
Hetimi zbulon se inspektorët e terrenit rrisnin në mënyrë artificiale numrin e matrikujve të gjësë së gjallë para se të shpallnin fitues fermerin, për të përfituar vetë nga fondet që duhej t’i shkonin bujqve të ndershëm. Kjo praktikë abuzive ka përfshirë tre prej të pezulluarve, Alfred Bakalli, Andrea Miha dhe Julian Zgura, të cilët verifikonin numrin e krerëve në ferma dhe më pas shpërndanin fondet në llogaritë bankare të fermerëve.
Masë pezullimi është dhënë edhe për punonjësit e tjerë të përfshirë në këtë skemë, duke përfshirë Entela Gjatën nga AZHBR Pogradec, Ermal Ibrin, veteriner në AKVMB, dhe Dritan Celen, veteriner në AKVMB Elbasan. Përveç pezullimit, të dyshuarve u është caktuar edhe masa e detyrimit për t’u paraqitur rregullisht pranë prokurorisë deri në vendimin përfundimtar.
Drejtoria e Përgjithshme e AZHBR, e udhëhequr nga Ardita Kuçi, ka mbajtur përgjegjësinë për shpërndarjen e fondeve, duke evidentuar përsëri dobësitë në kontrollin e brendshëm dhe rrezikun e përdorimit të fondeve publike për përfitime personale. Skandali tregon sesi paratë e bujqve, të dedikuara për zhvillim rural, përfundojnë shpesh tek personat jashtë sektorit, afër drejtuesve dhe inspektorëve të korruptuar.
Kjo nuk është hera e parë që AZHBR përfshihet në abuzime të tilla, ndërsa fermerët kërkojnë përgjegjësi dhe masa të ashpra ndaj punonjësve që keqpërdorin fonde publike. Hetimet vazhdojnë intensivisht, ndërsa institucioni është nën presion për të rivendosur transparencën dhe besimin te Skema Kombëtare.
