Bllokohet kalimi në Kakavijë, protestat e fermerëve grekë priten të zgjasin deri..
Lëvizja në aksin rrugor Kakavijë–Janinë u bllokua mbrëmjen e sotme nga ora 18:00 deri në 22:00, si pjesë e protestave të fermerëve grekë që po zhvillohen në të gjithë vendin. Ndërprerja e qarkullimit u aplikua për të gjitha automjetet, përveç mjeteve emergjente shëndetësore, ndërsa në Pikën Kufitare të Kakavijës qarkullimi ka qenë i qetë, pasi shumica e udhëtarëve ishin të informuar dhe shmangën këtë fashë orare.
Protestat pritet të zgjasin deri më 5 dhjetor, me fermerët që kanë paralizuar rrugë, porte dhe pika doganore në mbarë Greqinë, duke kundërshtuar pagesat e vonuara, mungesën e dëmshpërblimeve, kostot e larta të prodhimit dhe çmimet e ulëta të produkteve bujqësore. Autoritetet kufitare në Kakavijë u kanë bërë thirrje udhëtarëve të planifikojnë lëvizjet në orare alternative për të shmangur vonesat dhe problematikat nga bllokimet.
