Gazetarja e Top Channel, Bruna Kërçyku, konfirmoi në një lidhje direkte për “Top Story” se Naldo Gjini është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e biznesmenit në Elbasan.
Ai u ndalua në Rrugën e Kombit, ndërsa policia ka kryer edhe një kontroll në një banesë në Lezhë. Sipas gazetares, disa persona të tjerë janë shoqëruar për deklarime, kryesisht dëshmitarë dhe persona që kishin kontakt me viktimën.
Në lidhje me automjetin e djegur tip “Audi”, që u gjet mëngjesin e sotëm pranë aksit Elbasan–Librazhd, Kërçyku tha se zjarrfikëset nuk kanë marrë asnjë njoftim për ngjarjen. Mësohet se mjeti i përkiste kompanisë së viktimës dhe dyshohet se është përdorur nga autori për t’u larguar. Brenda tij u gjet edhe arma e përdorur, sipas të dhënave të para hetimore.
