Ekzekutimi i 43-vjeçarit Mondi Mëllaha në Elbasan dyshohet se lidhet me konfliktet për ndarjen e fitimeve në biznes, ku në qendër të mosmarrëveshjeve ishte ortakëtësia me 32-vjeçarin Xhino Ago.
Policia identifikoi dhe arrestoi Agon dhe rojen Kujtim Pisha për moskallëzim, ndërsa shpalli në kërkim Marselo Aranin dhe Armando Kolën, të dy të dyshuar si autorë. Gjatë hetimeve u gjet automjeti i djegur i përdorur në ngjarje, arma e zjarrit dhe disa prova materiale, ndërsa verifikimet tregojnë se makina ishte në pronësi të Agos dhe përdorej nga Arani.
