Rahmanullah Lakanwal, 29 vjeç, i ardhur në SHBA në vitin 2021 përmes programit për aleatët afganë, akuzohet për sulmin që solli vdekjen e një anëtareje të Gardës Kombëtare dhe plagosjen e një tjetri në Uashington DC.
Dokumente të vitit 2024 tregojnë se ai kishte kaluar muaj të tërë i izoluar në një dhomë të errët, pa komunikim me familjen dhe me sjellje të paqëndrueshme, ndërsa ishte pa punë dhe familja përballej me vështirësi të mëdha ekonomike.
Autoritetet amerikane thonë se motivi mbetet i paqartë, por dyshohet se Lakanwal është radikalizuar pas mbërritjes në SHBA. Ai kishte punuar më parë me forcat amerikane në Afganistan në një njësi të inteligjencës që bashkëpunonte me CIA-n, ndërsa azili i tij u miratua në fillim të vitit. Të njohur të tij kanë pohuar se problemet e shëndetit mendor mund të jenë shfaqur që pas shërbimit në Afganistan, çka shton kompleksitetin e hetimeve.
