Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Vlorë, ku Feride Abazaj, 82 vjeçe, duke ecur në bulevardin “Ismail Qemali”, është rrëzuar dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.
Sipas raportimeve të gazetarit të Top Channel, Mikel Marsi, vdekja dyshohet të ketë ndodhur pas një goditjeje të fortë të kokës mbi një prej bordurave të bulevardit. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit rajonal të qytetit.
Policia njofton se ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, në lagjen “Pavarësia 2”, përballë stadiumit, dhe dyshohet se rrëzimi mund të ketë ndodhur për shkak të erës së fortë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e viktimës, ndërsa qytetarët janë të tronditur nga ky incident tragjik.
