Policia italiane ka arrestuar një 36-vjeçar me origjinë shqiptare gjatë kontrolleve territoriale, pasi dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal të njohur si “skifterët”, që shqetësonte banorët e zonës.
Incidenti ndodhi kur karabinierët ndoqën një veturë “Alfa Romeo” dhe panë dy persona që po tentonin të kapërcejnë gardhin e një shtëpie private. Njëri prej tyre u arrestua pasi kishte një urdhër të mëparshëm për vuajtjen e një dënimi prej 2 vjetësh e 4 muajsh.
Brenda makinës me qira, policia gjeti mjete të përdorura zakonisht për vjedhje me thyerje, si kaçavida dhe leva, që konfirmonin aktivitetin kriminal të grupit. Pas procedurave të nevojshme, i arrestuari u dërgua në burgun e Varese-s dhe ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetimet për bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë.
