DOKUMENTET/ Si mori Ermal Beqiri tenderin 2 milionë euro nga KLGJ, ndërsa është nën hetim të SPAK për abuzime me AKSHI-n
– Tenderi 2 milionë euro që ndez alarmet
Kompanitë e biznesmenit Ermal Beqiri, i cili prej muajsh është nën hetim nga SPAK për abuzime të dyshuara në tenderat e AKSHI-t, arrijnë sërish të përfitojnë fonde të mëdha publike. Këtë herë, është Këshilli i Lartë Gjyqësor ai që i akordon një tender 2 milionë euro, pavarësisht se ndaj Beqirit dhe ish-drejtores së AKSHI-t, Linda Karçanaj, janë hapur hetime për procedura të dyshimta prokurimi. Dokumentet tregojnë se tenderi i KLGJ-së është zhvilluar me procedurë të deformuar, me fitues të paracaktuar dhe me konkurentë që rezultojnë fiktivë.
– Anulimi misterioz dhe rishpallja pa ndryshime
Në maj 2025, KLGJ shpalli tenderin për “blerje soft/hardware për rritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike”. Por kur pritej shpallja e fituesit, procedura u anulua papritur më 11 gusht 2025, me arsyetimin se “dokumentet përmbanin gabime apo mangësi të rëndësishme”. Megjithatë, rishpallja e tenderit në tetor të po atij viti nuk përmbante asnjë ndryshim real në kritere apo fonde, çka ngre dyshime të forta se anulimi ishte thjesht një manovër për të rregulluar terrenin për operatorin fitues.
– Konkurentë fiktivë dhe një fitues i vetëm real
Në garën e rishpallur morën pjesë katër kompani, por tre prej tyre dorëzuan oferta me vlerë 0 lekë ose pa asnjë dokumentacion shoqërues. Këta operatorë – “SINTEZA CO”, “iCom” dhe “FIRST SH.P.K” – u skualifikuan automatikisht, ndërsa e vetmja ofertë e vlefshme mbeti ajo e bashkimit “Soft & Solution” të Ermal Beqirit me “Communication Progress” të Gentian Likajt. Ofertat e tjera duket se kanë shërbyer vetëm për të krijuar iluzionin e konkurrencës, pasi asnjëri prej tyre nuk dorëzoi dokumentet bazë të detyrueshme. Nga dokumentet rezulton se “FIRST” i plotësonte kriteret, por nuk dorëzoi qëllimisht dokumentacionin, duke e lënë rrugën të lirë për fituesin e paracaktuar.
– Hetimet e SPAK dhe lidhja e drejtpërdrejtë me tenderat e AKSHI-t
Procedura e KLGJ-së u shty pikërisht në momentin kur BKH, me urdhër të SPAK, kontrollonte zyrat e kompanisë së Beqirit. Më 15 shtator 2025, ai u thirr në SPAK për t’u pyetur për tenderat e AKSHI-t, ndërsa pak javë më vonë u mor në pyetje edhe drejtoresha Karçanaj. SPAK po heton 12 procedura të mëdha tenderimi, ku Beqiri ka përfituar mbi 30 milionë euro vetëm gjatë vitit 2024. Hetuesit kanë marrë në pyetje 25 zyrtarë të AKSHI-t dhe kanë sekuestruar të gjitha dokumentet e procedurave të dyshuara. Në fokus të hetimit janë qarkullimi i fondeve, kontratat e mirëmbajtjes dhe transaksione luksoze, mes tyre edhe blerja e një jahti prej 930 mijë euro në emër të një shtetaseje rumune.
– Profili i Beqirit dhe ngritja e tij e dyshimtë në bizneset e IT-së
Ermal Beqiri u bë i njohur që në vitin 2011, gjatë procesit të ekspertizës së videos “Meta–Prifti”, dhe më pas mori poste kyçe në institucione shtetërore. Nga një ekspert i thjeshtë IT, ai u kthye në biznesmenin kryesor të tenderave të AKSHI-t, duke marrë pothuajse 80% të kontratave miliona-euroshe sipas denoncimeve të opozitës dhe ish-zv.kryeministrit Ahmetaj. Në vitet 2023–2025, Beqiri bleu disa kompani IT, firmosi kontrata të reja në vlera të larta dhe rriti jashtëzakonisht portofolin e tij financiar. Megjithë hetimet intensive të SPAK, ai vazhdon të fitojë tendera të buxhetit të shtetit, madje edhe nga institucionet e drejtësisë, duke ngritur pyetje serioze se sa e thellë është rrjeta e korrupsionit në institucionet publike.
