Vartësja e Belinda Ballukut iu rrëfeu prokurorëve të posaçëm se është detyruar nga ish-kreu i ARRSH Evis Berberi që të firmosë për tenderin për ndërtim e tunelit të Llogarasë.
Pas kësaj dëshmie SPAK thotë se Belinda Balluku ka ushtruar presion mbi vartësen e saj. E kjo sipas prokurorisë provohet nga përgjimet.
Këto fakte janë pasqyruar ne kërkesën që SPAK ka dorëzuar në kuvend për leje për të arrestuar zv/kryeministren.
Dëshmia e datës 10 nëntor 2025
E pyetur në datën 10.11.2025 në lidhje me procedurat e prokurimit të sipërcituar, e pandehura Mirzeta Kashnica ka deklaruar se i kujtohet se tek procedura e parë e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, e cila është anuluar, në vlerësimin e saj si anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k, i përmbushte kriteret dhe duhej të ishte shpallur fitues. Ajo deklaron se këtë qëndrim ia ka dërguar me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe për dijeni ia ka dërguar edhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë.
Ajo deklaron se menjëherë sapo e ka dërguar këtë email, në orën 17:05, pa u mbyllur akoma vlerësimi i komisionit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ajo është telefonuar nga shtetasi Evis Berberi, i cili i ka thënë se nuk duhej të shprehej me email, pasi ai kishte folur dhe kjo procedurë ishte mbyllur, do të anulohej, pasi nuk ishte asnjëri nga operatorët ekonomik në rregull.
E pandehura Mirzeta Kashnica deklaron se në lidhje me procesverbalin e datës 18.03.2021, për vlerësimin e ofertave, ku janë anuluar të gjitha ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë, ajo ka nënshkruar, pasi është trysnuar nga shtetasi Evis Berberi, që të vazhdonte me procedurën. Ajo deklaron se shtetasi Evis Berberi ishte anëtar i komisionit, si dhe personi që diktonte vendimmarrjen e komisionit. Në lidhje me procedurën e prokurimit të rishpallur me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” ajo deklaron se sa herë mblidhej komisioni, anëtarët e tjerë të komisionit i kishin marrë vendimet me njëri-tjetrin dhe e intimidonin atë në lidhje me qëndrimet e saj.
Në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se, nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme, ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M. K. (vartëse e saj).
Nga aktet e administruara në lidhje me procedurën e prokurimit të sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ndonëse kishte deleguar formalisht përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetasja Viola Haxhademi, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, në fazën përgatitore, gjatë zhvillimit të procedurës, në fazën e dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës, me qëllim favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure prokurimi.
Shtetasja Belinda Balluku në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë ofertues “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti & Asl Insaat Taahhut Ve San. San. Tic. Ltd. Sti. JV,” duke vepruar në kundërshtim me parashikimet e ligjit.
Pikërisht për këtë dëshmitare, Mirzeta Kashnica, SPAK thekson se Balluku po e frikëson si dëshmitare dhe kjo është një nga arsyet që kërkon dhe leje për arrest.
Këshilli i mandateve dhe imuniteteve zhvilloi një mbledhje por socialistët thonë se do të votojnë pasi të shprehet gjykata Kushtetuese. Demokratët kërkojnë mbledhje urgjente dhe dorëzimin e. Ballukut të drejtësia.
