Trupi i njeriut ka më shumë vrima nga sa mendoni



Në shikim të parë, trupi i njeriut duket se ka shumë vrima. Por sapo lind pyetja se çfarë konsiderohet realisht një “vrimë”, numri fillon të zvogëlohet ndjeshëm.

Trupi ynë është jashtëzakonisht kompleks, me shumë hapje dhe dalje. Megjithatë, sipas matematikës – më saktë topologjisë – jo çdo hapje llogaritet si vrimë e vërtetë. Pikërisht këtu fillon edhe konfuzioni.

Sipas Katie Steckles, lektore matematike në Universitetin Metropolitan të Mançesterit, matematikanët e përdorin termin “vrimë” për të përshkruar një hapje që kalon përmes gjithë objektit dhe del nga ana tjetër, si vrima në një petull apo një unazë. Ndryshe nga një gropë e zakonshme, një vrimë topologjike nuk ka fund të mbyllur.

I njëjti parim vlen edhe për objekte të përditshme. Një pipëz, për shembull, ka vetëm një vrimë topologjike, edhe pse ka dy hapje. Ajo që duket si hyrje dhe dalje janë, në fakt, dy anë të së njëjtës vrimë.

Kur ky përkufizim aplikohet te trupi i njeriut, shumë nga hapjet që ne i konsiderojmë zakonisht “vrima” përjashtohen. Poret e lëkurës, kanalet e qumështit, uretra apo kanalet e veshit nuk llogariten, sepse ato janë zgavra të mbyllura dhe nuk kalojnë përmes gjithë trupit.

Sipas matematikës, hapjet që formojnë vrima të vërteta janë goja, anusi, dy vrimat e hundës dhe katër kanalet e lotit që lidhin sytë me zgavrën e hundës. Kjo do të thotë se kemi tetë hapje që janë të ndërlidhura mes tyre.

Por topologjia na mëson se kur hapjet lidhen brenda një strukture, numri i vrimave është gjithmonë një më pak se numri i hapjeve. Si rezultat, trupi i njeriut ka shtatë vrima topologjike.

Në rastin e grave, numri mund të shkojë edhe në tetë. Kjo sepse trakti riprodhues femëror – nga vagina, përmes mitrës dhe tubave fallopiane – është i hapur dhe i lidhur me zgavrën e barkut, duke krijuar një vrimë tjetër të kalueshme.

Në përfundim, përgjigjja matematikore është se njerëzit kanë shtatë ose tetë vrima, në varësi të seksit. Një kujtesë interesante se ndonjëherë, pyetjet më të thjeshta marrin përgjigjet më të papritura kur shihen nga këndvështrimi i shkencës.

Politics