Sekretari Amerikan i Shtetit shoi premtimet e Trump se SHBA do ta drejtojnë vendin e Maduros dhe tregoi se presioni do të vijë përmes bllokadës së naftës
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të marrin rol qeverisës të përditshëm në Venezuelë, por do të vazhdojnë të ushtrojnë presion për ndryshime politike përmes bllokadës së naftës, e cila është aktualisht në fuqi.
Deklaratat e Rubios, të bëra gjatë daljeve në disa emisione televizive, vijnë një ditë pasi presidenti Donald Trump tha se SHBA do të “drejtojë” Venezuelën pas largimit nga pushteti të Nicolás Maduro-s, duke ngjallur shqetësime për një ndërhyrje të zgjatur amerikane apo një skenar të ri “ndërtimi shteti”.
Rubio u përpoq të zbusë këto shqetësime, duke theksuar se Uashingtoni nuk synon të administrojë vendin, por të përdorë mjetet ekonomike dhe diplomatike për të ndikuar zhvillimet politike në Karakas.
Sipas tij, bllokada e naftës, e cila ishte vendosur ndaj cisternave të sanksionuara edhe para largimit të Maduro-s nga pushteti të shtunën në mëngjes, do të shërbejë si instrument presioni për të nxitur reforma dhe ndryshime konkrete në Venezuelë.
Qëndrimi i Rubios duket se përfaqëson një linjë më të matur krahasuar me deklaratat e gjera të Trump-it, i cili kishte lënë të kuptohej se SHBA mund të merrte përkohësisht kontrollin e vendit, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin real të Uashingtonit në të ardhmen e Venezuelës.
Situata mbetet fluide, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është e përqendruar tek hapat e radhës të administratës amerikane dhe reagimi i aktorëve politikë brenda dhe jashtë Venezuelës. /noa.al
