Fredi Beleri ka kërkuar që Opozita të bëjë një analizë të thellë pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, duke mos përjashtuar as dorëheqjen e kryedemokratit Sali Berisha. Në një intervistë për MCNTV, Beleri theksoi se të gjithë anëtarët dhe kandidatët e opozitës duhet të shohin se ku kanë gabuar, duke nënvizuar se rrëzimi i qeverisë mund të vijë vetëm nga qytetarët dhe jo nga ndërhyrja e të huajve, duke iu referuar edhe rolit të Chris LaCivita.
Sipas Belerit, zgjedhjet nuk kanë qenë të lira, për shkak të ndërhyrjes së administratës shtetërore, problematikave me votën e diasporës dhe mungesës së besimit të minoritarëve. Ai u shpreh kritik ndaj protestave pas zgjedhjeve, duke theksuar se vullneti politik duhet të shprehet në ditën e votimit. Në fund, Beleri tha se Partia Demokratike duhet të marrë masa të forta për t’i dhënë fund asaj që ai e cilëson “regjim”, madje duke mos përjashtuar edhe dorëheqjen e lidershipit aktual.
