Dy lëkundje të forta tërmeti u regjistruan paraditen e sotme në rajonin e Romagna, mes provincave Ravenna dhe Forlì-Cesena. Sipas Istituto Nazionale di Geofisica e Vulcanologia, lëkundja e parë u ndje në orën 9:27 me magnitudë 4.3 dhe epiqendër pranë qytetit Russi, në thellësi rreth 23 km.
Dy minuta më pas, në orën 9:29, u regjistrua një tjetër tërmet me magnitudë 4.1, me epiqendër pranë Faenza. Lëkundjet u ndjenë edhe në Forlì, Cesena dhe Ravenna, duke shkaktuar panik te qytetarët, të cilët dolën në rrugë.
Autoritetet lokale dhe Dipartimento della Protezione Civile bënë të ditur se nga verifikimet e para nuk ka dëme në njerëz apo objekte. Kryetarja e bashkisë së Russi-t, Valentina Palli, u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, duke theksuar se situata po monitorohet dhe evakuimet janë kryer me rend.
