Ish-presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili prej tetorit të vitit 2024 ndodhet në qeli, ka reaguar sërish lidhur me hetimet për pasurinë e tij, duke i cilësuar si akuza të pabazuara dhe të mbështetura mbi të pavërteta dhe falsifikime.
Ai pretendon se pavarësisht hetimeve që kanë hyrë në vitin e tetë, Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë apo fakt penal që lidhet me pasurinë apo deklarimet e saj.
Sipas Metës, një ekspertim financiar i porositur nga familja e tij do të paraqitet në Gjykatë i cili do të rrëzojë pretendimet e Prokurorisë së Posaçme, duke provuar kështu se të ardhurat e tij për periudhën 1995-2023 janë mbi 87 milionë lekë të reja.
“Me këtë rast dua të falënderoj vajzën e madhe, Bora, e cila ka porositur një akt ekspertimi ligjor financiar që do ta paraqitim në Gjykatë, që rrëzon pretendimet absurde të prokurorisë, ku provohet se të ardhurat e mia të ligjshme për vitet 1995 – 2023 janë mbi 87 milionë lekë të reja, pa llogaritur faktin se të ardhurat e mia si deputet fillojnë që në Prill 1992 apo pagesat si ish-President i Republikës në vitet 2024-2025”, shkruan Meta duke theksuar kështu se hetimet ndërkombëtare për gjetjen e pasurive apo llogarive të fshehura nuk kanë prodhuar asnjë rezultat, duke këmbëngulur se nuk ekziston asnjë pasuri e padeklaruar apo e paligjshme në emrin e tij.
Ndër të tjera, kreu i Partisë së Lirisë ka përsëritur po ashtu të njëjtën qëndrim të cilin prej 1 viti e gjysmë po e mban, sa i përket akuzave të ngritura ndaj tij. Ai ka sqaruar se të gjitha pretendimet e Prokurorisë janë të pavërteta dhe se gjyqi ndaj tij është “politik”.
