Formalizimi i aktivitetit ekonomik në internet po hyn në një fazë të re. Me ndryshimet e fundit ligjore, çdo person që gjeneron të ardhura përmes rrjeteve sociale apo platformave online konsiderohet tashmë subjekt tregtar dhe është i detyruar të funksionojë brenda sistemit tatimor.
Ligji parashikon që blogerët, influencerët dhe krijuesit e përmbajtjes të publikojnë në faqet e tyre online të dhëna identifikuese si numri i NIPT-it, emri i subjektit, adresa dhe numri i kontaktit. Në rast mosrespektimi, administrata tatimore dërgon fillimisht një njoftim zyrtar dhe, nëse brenda 15 ditëve subjekti nuk merr masa, do tw kërkohet bllokimi i përkohshëm i faqes së internetit përmes së cilës ushtrohet aktiviteti.
“Çdo e ardhur e gjeneruar nëpërmjet internetit konsiderohet aktivitet ekonomik dhe duhet të trajtohet njësoj si çdo biznes tjetër. Qëllimi i ligjit nuk është ndëshkimi, por formalizimi dhe krijimi i barazisë fiskale në treg”, shprehet Avni Tobli, Ekspert i Financave.
Kontrollet e kryera gjatë vitit të kaluar treguan përmasa të konsiderueshme informaliteti në ekonominë digjitale. Sipas të dhënave zyrtare, për vitin që lamë pas vetëm 100 profile në rrjete sociale kanë gjeneruar mbi 33 milionë euro të ardhura.
“Këto shifra tregojnë se flasim për një treg të madh dhe në rritje. Formalizimi u jep siguri ligjore vetë krijuesve të përmbajtjes dhe rrit transparencën në raport me shtetin dhe bizneset”, shprehet eksperti./klannews
Autoritetet bëjnë të ditur se monitorimi i aktivitetit online do të vijojë edhe me tej, ndërsa subjektet që gjenerojnë të ardhura përmes internetit ftohen të përshtaten me rregullat e reja për të shmangur penalitetet.