Vjedhja e kriptomonedhave po i fut viktimat në një kurth unik, ku fondet e tyre mbeten të dukshme publikisht në blockchain, por praktikisht të parekuperueshme. Kjo i ndodhi një çifti britanik, Helen dhe Richard (emra të ndryshuar), të cilët humbën rreth 315 mijë dollarë në kriptomonedhën Cardano, pas një sulmi kibernetik që u dha hakerëve akses në llogarinë e tyre cloud. Rasti u raportua nga BBC.
Edhe pse çdo transaksion ishte i regjistruar publikisht, çifti ishte i pafuqishëm të ndërhynte, ndërsa fondet lëviznin nga një portofol në tjetrin. Sipas të dhënave të Chainalysis, vjedhjet e kriptovalutave në vitin 2025 kanë tejkaluar 3.4 miliardë dollarë, me një rritje të ndjeshme të sulmeve që synojnë investitorët individualë. Ndryshe nga platformat e mëdha, ku humbjet shpesh mbulohen nga kompanitë, individët mbeten pothuajse gjithmonë pa mbrojtje.
Autoriteti britanik i mbikëqyrjes financiare, Financial Conduct Authority, paralajmëron se kriptomonedhat mbeten me rrezik të lartë dhe kryesisht të parregulluara, duke theksuar se në rast humbjeje, investitorët duhet të jenë të përgatitur të humbasin gjithçka. Përveç sulmeve digjitale, po shtohen edhe rastet e dhunës fizike për nxjerrjen e çelësave dixhitalë, duke e bërë tregun e kriptomonedhave gjithnjë e më të rrezikshëm për investitorët me pakicë.