Sipas SPAK, grupet kriminale kanë trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Aktiviteti kriminal dyshohet se është zhvilluar përgjatë pesë viteve të fundit, me vlera miliona euro.
Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 anëtarë të grupit Rraja, mes tyre edhe Rexhep Rraja. Në dhjetor, me urdhër të SPAK u arrestuan Islam Sefa, Jani Çavo, Aldo Gjini, Marvin Bushati, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj, si dhe Rexhep Rraja.
SPAK ka zbardhur edhe tre episode konkrete droge nga vitet 2020–2021: më 3 nëntor 2020 u sekuestruan në Mal të Zi 1,722 kg marijuanë të nisura nga Shqipëria drejt Gjermanisë; më 23 nëntor 2020 në Holandë u kapën 475 kg kokainë të ardhura nga Ekuadori në Portin e Vlissingen; ndërsa më 26 janar 2021 në Turqi u sekuestruan 236 kg marijuanë të nisura nga Shqipëria. Hetimet vijojnë.