Tre punonjës të Policisë Orikum, mes tyre edhe shefi i stacionit, janë vënë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pas akuzave për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Vendimi u ekzekutua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas urdhrit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Sipas hetimeve të drejtuara nga SPAK, efektivët dyshohet se në shtator të vitit të kaluar kanë kërkuar dhe marrë 270 mijë lekë nga një shtetas, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale. Rasti është dokumentuar përmes një hetimi disa mujor me metoda speciale dhe prova ligjore.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa AMP u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje ligji nga punonjës të policisë, përmes numrave zyrtarë të raportimit dhe aplikacionit “Agjencia Digjitale”.