Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ironizuar ashpër vizitën e delegacionit të Parlamentit Evropian në Beograd dhe takimet e tyre me opozitën, duke e quajtur këtë proces “takimin më qesharak në botë”. Ai deklaroi se eurodeputetët janë figura të parëndësishme dhe se opozita ua paraqet atyre vetëm anët më negative të Serbisë.
Vuçiç e cilësoi si “të pacipë” kërkesën e opozitës për vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarëve të partisë në pushtet, duke shtuar se i vjen keq që publiku serb u ka kushtuar kaq shumë vëmendje vizitorëve nga Brukseli. Ai dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiç, refuzuan takimin me delegacionin, duke pretenduar mungesë njoftimi.
Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian mohoi këto pretendime, ndërsa delegacioni zhvilloi takime me qeverinë, opozitën, median dhe shoqërinë civile. Opozita proevropiane kërkoi ridrejtimin e fondeve të BE-së dhe sanksione të personalizuara, ndërsa eurodeputetët pritet të raportojnë në PE mbi gjendjen e demokracisë dhe lirive në Serbi.