Pak ditë më parë në Bulqizë u rikthye në vëmendje një ngjarje e rëndë e vitit 2018, ku u vra një 36-vjeçar dhe trupi i tij u gjet pas 9 muajsh në një tunel në zonën e Gjurasit. Vëllai i viktimës, Lulzim Lleshi, ka deklaruar publikisht se personat e arrestuar si autorë të dyshuar jo vetëm që i morën bashkëshorten vëllait, por edhe ushtruan presion ndaj familjes së tij.
Së fundmi, situata është përkeqësuar edhe më tej, pasi një 12-vjeçare, vajza e viktimës, ka denoncuar njerkun e saj për ngacmim seksual, i cili sipas saj ka vijuar për rreth dy vite. Në një reagim të fortë, Lleshi deklaron se raste të ngjashme kanë ndodhur edhe me vajzat e tij të mitura, duke shtuar se ato janë larguar nga banesa e nënës për shkak të frikës dhe presionit psikologjik.
Ndërkohë, Policia ka arrestuar në Gjirokastër dy vëllezër nga Dibra, Klodian dhe Kelmend Krusa, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e vitit 2018. Gjatë kontrolleve u sekuestruan armë zjarri, municion dhe pajisje të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës për zbardhjen e plotë të çështjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.