Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër qeverinë për atë që e cilëson si dështim të thellë të politikave të digjitalizimit, duke theksuar se shpenzimet rekord nuk janë shoqëruar me përmirësim real të shërbimeve për qytetarët. Sipas saj, digjitalizimi është kthyer në justifikim për rritje të pakontrolluar të shpenzimeve publike.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaron se buxheti i AKSHI-t është rritur ndjeshëm, ndërsa numri i punonjësve në administratën publike ka shkuar në rreth 184 mijë, afro 20 mijë më shumë se katër vite më parë. Ajo thekson se, pavarësisht këtyre shifrave, shërbimet digjitale vazhdojnë të mos funksionojnë dhe qytetarët përballen çdo ditë me probleme.
Deputetja demokrate akuzon qeverinë për mungesë transparence, korrupsion dhe tendera të paracaktuar, duke e quajtur situatën një pasojë të keqmenaxhimit të fondeve publike. Tabaku nënvizon se digjitalizimi duhet të shërbejë për uljen e burokracisë dhe rritjen e eficiencës, e jo për abuzime financiare, duke kërkuar një rishikim të plotë të mënyrës se si administrohen fondet në këtë sektor.