Prindërit e 23-vjeçarit Albert Togu kanë depozituar kallëzim penal në Prokurori ndaj mjekëve të Spitalit të Traumës, duke i bërë ata përgjegjës për vdekjen e të birit. I riu ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së hënës, pasi ndodhej i shtruar në këtë spital si pasojë e plagëve të marra në një aksident rrugor.
Babai i tij, Kujtim Togu, deklaroi për News24 se djali ka humbur jetën për shkak të neglizhencës mjekësore. Sipas tij, mjekët kanë nënvlerësuar gjendjen shëndetësore të të riut dhe nuk kanë reaguar në kohë, duke çuar në përkeqësim fatal. Ai thekson se shenjat janë kuptuar vetëm kur situata ishte e pakthyeshme.
Ndërkohë, familjarët pretendojnë se po hasin pengesa për kryerjen e autopsisë, pasi Spitali i Traumës ende nuk ka lëshuar kartelën mjekësore të të ndjerit. Kujtim Togu shprehet se pa këtë dokument, mjekësia ligjore nuk mund të veprojë, ndërsa familja nuk mund të kryejë varrimin pa u sqaruar plotësisht shkaqet e vdekjes.