Gjykata e Lezhës ka dhënë masat e sigurisë për tre personat e arrestuar në lidhje me laboratorin e drogës të zbuluar brenda një godine katërkatëshe përgjatë aksit rrugor Lezhë–Milot.Seanca gjyqësore, e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe që zgjati rreth 60 minuta, e cilësoi të ligjshëm arrestimin e shtetasve Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç (babë e bir), për të cilët u vendos masa e sigurisë “arrest në burg” si autorë të dyshuar të veprimtarisë kriminale. Ndërkohë, për punonjësin e OSHEE, Gjon Doda, gjykata vendosi masën “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Laboratori i drogës u zbulua mbrëmjen e së hënës. Gjatë kontrollit në katin e dytë të objektit, policia sekuestroi si prova materiale: 8.8 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis të tharë, 1.064 bimë kanabisi, 960 fidanë të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformatorë për kultivim, një armë zjarri automatike me dy krehra fishekësh, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.
Po ashtu, nga kontrollet në banesat e të arrestuarve u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive. Hetimet për këtë çështje vijojnë nën drejtimin e prokurorisë.