Të paktën 34 kilogramë kanabis janë sekuestruar në Gjirokastër në kuadër të operacionit policor të koduar “Ura”, ndërsa dy persona janë arrestuar. Lënda narkotike dyshohet se do të trafikohej drejt Greqisë.Të arrestuarit janë shtetasit E. M., 35 vjeç, dhe E. S., 37 vjeç, të ndaluar tek ura e fshatit Kardhiq.Gjatë kontrollit të automjetit tip “Hyundai” me të cilin lëviznin, policia gjeti 44 pako kanabisi, të fshehura në një hapësirë të improvizuar në shasinë e mjetit. Pesha totale e drogës rezultoi 34 kg e 5 gramë. Krahas lëndës narkotike, u sekuestruan automjeti dhe 4 celularë.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, operacioni u finalizua pas një pune të koordinuar hetimore dhe operacionale nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Sektori Operacional dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”. Dy të dyshuarit u kapën në flagrancë teksa transportonin drogën me destinacion Greqinë.
Hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.