Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar, ka sekuestruar pesë tonë marihuanë në një operacion të madh antidrogë të zhvilluar më 29 janar në fshatin Konjuh, pranë Krushevcit në Serbinë qendrore. Sipas autoriteteve, kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në vend. Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar llogaritet nga 7 deri në 10 milionë euro. Aksioni u cilësua si një goditje e rëndë ndaj krimit të organizuar.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri të ditur se gjatë operacionit janë arrestuar N.S. (1986) dhe R.S. (1958), ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim. Të dyshuarit akuzohen për prodhim dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për posedim dhe tregtim të paligjshëm të armëve. Gjatë kontrolleve u gjetën gjithashtu katër pushkë automatike, një raketë që hidhet nga krahu dhe rreth 12.700 euro para cash.
Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar njoftoi se të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i cili e kishte magazinuar marihuanën në ambientet e kompanisë Florakom d.o.o.. Nga aty, droga shpërndahej drejt Beogradit, ku edhe shitej. Autoritetet serbe kanë paralajmëruar se hetimet dhe kontrollet do të vijojnë, ndërsa të ndaluarit do të dërgohen në prokurori për t’u marrë në pyetje.