Pas tre ditësh bllokadë, nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme nis zhbllokimi i plotë i pikës kufitare të Qafë Thana, si edhe i të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bllokimi ishte shkaktuar nga protesta e kamionistëve, e cila paralizoi qarkullimin e mallrave dhe lëvizjen ndërkufitare për disa ditë radhazi. Autoritetet konfirmojnë rikthimin gradual të normalitetit në qarkullim.
Protesta u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve në 10 pika kufitare, kundër zbatimit të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen. Transportuesit argumentuan se rregullat e reja krijojnë pengesa serioze për shoferët profesionistë dhe rrisin kostot operative. Për shkak të presionit, situata u përshkallëzua deri në mbyllje totale të disa kalimeve.
Zgjidhja u arrit pas ndërhyrjes së Komisioni Evropian, i cili pranoi të lëshojë viza për transportuesit. Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, njoftoi se Brukseli do të hartojë një strategji të re për shoferët profesionistë. Megjithatë, përfaqësuesit e transportuesve theksojnë se regjimi i vizave mbetet i vjetëruar, por e pranojnë këtë zgjidhje si masë të përkohshme.