Një nga shenjat që kërkon vëmendje të menjëhershme është paraqitja e urinës me ngjyrë të kuqe ose rozë. Mjekët sqarojnë se kjo mund të jetë pasojë e pranisë së gjakut në urinë – një gjendje e njohur si hematuri. Ajo shpesh lidhet me infeksione të traktit urinar, gurë në veshka apo edhe probleme të fshikëzës urinare.
Në disa raste, urina me ngjyrë të kuqe mund të shkaktohet edhe nga konsumimi i ushqimeve si panxhari apo manaferrat, megjithatë dallimi është i lehtë: kur shkaku është ushqimor, ngjyra zhduket brenda një dite, ndërsa nëse problemi vazhdon, kërkohet domosdoshmërisht këshilla e mjekut.
Sipas specialistëve, infeksionet e traktit urinar shoqërohen shpesh me dhimbje gjatë urinimit, ndjenjë djegieje apo nevojë të shpeshtë për të urinuar. Nëse këto simptoma shfaqen bashkë me ndryshimin e ngjyrës, vizita te mjeku është e detyrueshme për të shmangur komplikacionet e mundshme në veshka apo fshikëz.
Mjekët rekomandojnë gjithashtu që njerëzit të pinë shumë ujë gjatë ditës për të ndihmuar pastrimin e sistemit urinar dhe për të mbajtur trupin të hidratuar. Kujdesi ndaj ngjyrës së urinës është një mënyrë e thjeshtë, por shumë efektive për të monitoruar shëndetin dhe për të zbuluar herët çdo problem të mundshëm.