Pacolli u thirr nga prokurori Ndini Tavani dhe oficeri Andri Dervishi për t’u pyetur rreth 47% të aksioneve të aeroportit dhe mosmarrëveshjes me aksionerin minoritar Valdon Ademi, si dhe ish-administratorin e kompanisë “Vlora International Airport”, Valon Lluka.
Konflikti mes Pacollit dhe Ademit ka nisur për shkak të ndarjes së aksioneve. Ademi pretendon se i përkasin 47% të aksioneve, ndërsa zyrtarisht ka vetëm 2%. Një kontratë noteriale e firmosur pas largimit të grupit turk YDA, që kishte 40% të aksioneve, ka përcaktuar shpërndarjen e aksioneve mes kompanisë së Pacollit Mabco dhe 2A Group, pronë e Ademit. Megjithatë, kontratat ende nuk janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Nga ana e saj, Mabco kundërshton pretendimin e 2A Group dhe ka vendosur të mos ndryshojë strukturën e aksioneve. Përplasja ka çuar edhe në shkarkimin dhe dorëheqjen e administratorëve të kompanisë së aeroportit. Gjykata ka pezulluar çdo vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve dhe e drejta e votës e Mabco-s është pezulluar deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së kuotave.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar hetim për Behgjet Pacolli, vëllanë e tij Emin Pacolli, dhe administratorin Nelson Çela nga Mabco Construction S.A. Ata po hetohen për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh.