Në tubimin elektoral të Butler, Pensilvani, 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks qëlloi tetë herë me një AR-15, duke e plagosur Trump-in lehtë në vesh dhe duke shkaktuar vdekjen e Corey Comperatore, 50 vjeç. Sulmi la të plagosur rëndë edhe dy persona të tjerë, para se agresori të eliminohej nga snajperët e Shërbimit Sekret.
Trump kërkon të dijë pse autoritetet nuk kanë dhënë ende një përgjigje të qartë për motivet e sulmuesit dhe përse protokollet e sigurisë dështuan në një ngjarje të tillë madhore. Kritikat janë shtuar sidomos pas publikimit të të dhënave të reja që vënë në pikëpyetje versionin fillestar të FBI-së.
Sipas një raporti investigativ, Crooks lëvizi nga mbështetës i zjarrtë i Trump në vitin 2019, në kundërshtar ekstrem vetëm një vit më pas. Aktiviteti i tij online përfshinte komente kërcënuese ndaj politikanëve, thirrje për dhunë dhe deklarata me ngjyrime ideologjike të rrezikshme. Megjithatë, FBI raportoi fillimisht se nuk kishte identifikuar motiv politik – diçka që tashmë duket të ketë qenë e paplotë.
Materiale të reja të publikuara nga burime private tregojnë se Crooks kishte lënë një gjurmë të gjerë dixhitale në platforma si YouTube, Discord e Quora, ku ai bënte komente ekstremiste. Hetimet madje flasin edhe për komunikime të mundshme me individë të lidhur me organizata neonaziste, si Lëvizja Nordike e Rezistencës, e klasifikuar si grup terrorist nga SHBA.
Pas këtyre ndërveprimeve, Crooks papritur u zhduk nga rrjetet sociale – derisa u rishfaq në mënyrën më tragjike më 13 korrik të vitit të kaluar. Kjo ka bërë që kritikat ndaj FBI-së dhe Shërbimit Sekret të ashpërsohen, me akuzat se pjesë të rëndësishme të informacionit janë anashkaluar ose fshehur.
Trump ka bërë thirrje për një hetim të thelluar dhe të pavarur mbi çfarë ndodhi në të vërtetë atë ditë dhe përse mbrojtja presidenciale dështoi në mënyrë kaq spektakolare. Ndërkohë, FBI dhe Shërbimi Sekret nuk kanë dhënë ende një deklaratë të re lidhur me këto zhvillime, duke shtuar edhe më shumë dyshimet në opinionin publik.