Speci djegës është shumë më tepër sesa një erëz që i jep shije ushqimit. Sipas ekspertëve të ushqyerjes, ai është një burim i shkëlqyer karotenoidësh – antioksidantë të fuqishëm që mbrojnë qelizat nga radikalet e lira dhe ulin dëmin inflamator në organizëm. Vetëm dy lugë gjelle pluhur speci të kuq djegës mund të sigurojnë rreth 47% të nevojës ditore për vitaminën A, një ushqyes i rëndësishëm për shikimin dhe sistemin imunitar.

Por përfitimet nuk ndalen me kaq. Specat djegës janë të pasur me vitaminë C, E, B6, K, fibra dietike dhe minerale si mangani. Këta përbërës kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm, sidomos në mbrojtjen e enëve të gjakut dhe në forcimin e sistemit imunitar.

Studime të shumta kanë treguar se kapsaicina – përbërësi aktiv që i jep specit djegës nxehtësinë karakteristike – ndihmon në uljen e kolesterolit të keq (LDL) dhe në parandalimin e grumbullimit të pllakave në arterie. Kjo do të thotë më pak rrezik për sëmundje të zemrës, sulme kardiake dhe probleme me qarkullimin e gjakut.

Për njerëzit me diabet, speci djegës mund të ketë një efekt të dyfishtë pozitiv. Ai ndihmon në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe uljen e rezistencës ndaj insulinës. Konsumimi i rregullt i tij ndihmon trupin ta përpunojë më shpejt glukozën, duke mbajtur luhatjet e sheqerit nën kontroll.

Përveç benefiteve për zemrën dhe diabetin, speci djegës njihet edhe për rolin e tij në përshpejtimin e metabolizmit. Kapsaicina rrit djegien e kalorive dhe përshpejton tretjen, duke e bërë këtë erëz një ndihmues natyral për ata që duan të humbasin peshë. Shumë studime e lidhin konsumin e specit djegës me reduktimin e urisë dhe kontrollin e apetiteve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se njerëzit me probleme gastriti, ulçere apo refluksi duhet ta konsumojnë me kujdes. Në sasitë e duhura, speci djegës është një nga ushqimet më të mira për zemrën, kolesterolin, metabolizmin dhe kontrollin e diabetit.