Seanca e debatit do të mbahet më 18 dhjetor, datë e cila u propozua nga Partia Demokratike dhe u pranua pas diskutimeve mes palëve.
Maxhoranca fillimisht kërkoi që mocioni të zhvillohej si pika e fundit e rendit të ditës, por ky propozim u refuzua nga përfaqësuesit e opozitës. Sipas PD-së, mocioni nuk mund të shtyhet dhe duhet të mbetet prioritar duke respektuar afatet e përcaktuara në rregulloren e Kuvendit.
Gazment Bardhi theksoi se mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve nga momenti i kërkesës dhe se ai lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësitë e qeverisë në raport me krimin e organizuar. “Kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar. Është momenti i duhur për këtë debat,” u shpreh Bardhi.
Ai argumentoi se më 18 dhjetor është parashikuar një seancë me karakter informativ dhe pa çështje konkrete në rendin e ditës, çka e bën atë datë të përshtatshme për shtimin e një pike të re kushtuar debatit për masat e qeverisë. “Shtoni një pikë në rendin e ditës që të jetë debati për masat e qeverisë në raport me krimin e organizuar,” tha Bardhi.
Pasi palët harmonizuan propozimet, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që mocioni me debat të zhvillohet në datën e kërkuar nga opozita, duke i hapur rrugë një seance të posaçme ku pritet të përplasen argumentet mbi situatën e kriminalitetit në vend.
Seanca e 18 dhjetorit pritet të ketë interes të lartë politik dhe publik, pasi do të diskutohet efekti i politikave qeveritare në luftën kundër krimit të organizuar dhe sigurinë e qytetarëve.
..