Në një intervistë për “DW”, ajo e konsideroi si hap pozitiv faktin që rastet e korrupsionit po zbulohen nga vetë strukturat shqiptare.
Duke u ndalur te hetimi ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, Kos tha se ajo që ka rëndësi është funksionimi i institucioneve dhe fakti që ato po evidentojnë raste të dyshuara, ashtu si ndodh në vendet anëtare të BE-së. Sipas saj, korrupsioni ekziston kudo, por sfida qëndron te aftësia e shteteve për t’i luftuar.
Ajo shtoi se ishte vetë sistemi gjyqësor që duhet të përcaktojë nëse ka shkelje dhe çfarë pasojash do të ketë, ndërsa theksoi se rasti është tregues i forcimit të strukturave të reja të drejtësisë. Sipas saj, se për disa raste në Shqipëri SPAK ka treguar se po punon dhe po jep rezultate të prekshme.
Kos theksoi se lufta kundër korrupsionit mbetet pjesë thelbësore e procesit të integrimit, duke theksuar se BE-ja mbështet vendet kandidate, por reformat duhet t’i ndërmarrin ato vetë. Ajo përmendi edhe procesin e vetingut në gjyqësor si një hap i rëndësishëm, megjithëse jo i mjaftueshëm.
Komisionerja la të kuptohet se sfida më e madhe është ndryshimi i kulturës politike dhe shoqërore, pasi vetëm ligjet nuk mjaftojnë nëse korrupsioni tolerohet apo pranohet në mënyrë të gjerë nga vetë qytetarët.
Ajo kujtoi se Shqipëria tashmë i ka hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave, por tani fillon puna e vështirë e plotësimit të kritereve të ndërmjetme për secilin prej tyre. Sipas saj, kapitujt që lidhen me sistemin gjyqësor, krimin e organizuar, antikorrupsionin dhe prokurimin publik janë më të ndërlikuarit.
Në përfundim, Kos deklaroi se BE do të vazhdojë monitorimin e zhvillimeve dhe vlerësoi se hetimet aktuale tregojnë se Shqipëria po lëviz në drejtimin e duhur, por se rruga drejt anëtarësimit kërkon ende shumë punë dhe rezultate të qëndrueshme.