Procedura vjen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, e cila synon “përmirësimin e ambienteve të punës”, pavarësisht situatës së ndjeshme financiare.
Institucioni që kërkon pjesën më të madhe të kësaj shume është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila ka planifikuar rreth 1.2 milionë euro vetëm për mobilimin e zyrave. Një shumë që ka shkaktuar reagime, duke qenë se shpesh vetë spitalet raportojnë mungesa të pajisjeve të nevojshme për trajtimin e pacientëve.
Institucionet e sigurisë marrin gjithashtu një pjesë të madhe të fondit. Forca Tokësore kërkon 685 mijë euro për zyrat e komandës, ndërsa Policia e Shtetit ka kërkuar 377 mijë euro me një marrëveshje që pritet të zgjasë tre vite. Të dyja këto shifra janë pjesë e paketës së madhe të mobilimit që po financohet nga buxheti i shtetit.
Më modeste shfaqen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve, të cilat për mobilimet e tyre kanë kërkuar përkatësisht 29 mijë dhe 20 mijë euro. Edhe pse shifra të vogla krahasuar me institucionet e tjera, ato sërish i shtohen faturës totale shumë-milionëshe.
Vetëm pak ditë më parë, Agjencia e njëjtë publikoi një tender tjetër gjigant, këtë herë 14 milionë euro për blerje karburanti për administratën. Seria e këtyre procedurave ngre pikëpyetje mbi prioritetet e menaxhimit financiar të qeverisë në kohë krizash.
Ndërkohë që qytetarët përballen me rritje çmimesh, krizë energjetike dhe kosto gjithnjë e më të larta jetese, investimet milionëshe në mobilime zyrash nxisin debat publik dhe lënë të hapur pyetjen nëse këto shpenzime janë vërtet të domosdoshme në këtë moment.
..